Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit, përmes Sektorit për Krim Kibernetik, është parandaluar një rast i dyshuar i vetëvrasjes së një të mituri, pas monitorimit të rregullt të hapësirës digjitale.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë aktiviteteve të zakonshme për monitorimin e rrjeteve sociale është identifikuar një postim me përmbajtje shqetësuese, që aludonte në një synim të mundshëm për vetëvrasje nga një përdorues i mitur.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, autoritetet kanë ndërmarrë veprime urgjente dhe të koordinuara për të konstatuar identitetin dhe vendndodhjen e personit. Brenda një kohe të shkurtër, i mituri është lokalizuar dhe është zhvilluar intervistë me të, ku është konstatuar se ai ndodhet në gjendje të mirë dhe jashtë rrezikut.
Për rastin janë njoftuar edhe prindërit, të cilët janë informuar mbi situatën dhe hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren.
Nga MPB theksojnë se ky rast rikthen në vëmendje rëndësinë e monitorimit të kujdesshëm të sjelljes së të rinjve në hapësirën digjitale. Ata u bëjnë thirrje prindërve që të mbajnë komunikim të rregullt dhe të hapur me fëmijët e tyre, të tregojnë interes për aktivitetet e tyre në rrjetet sociale dhe të reagojnë menjëherë në rast të shenjave të tërheqjes, ankthit apo postimeve me përmbajtje kërcënuese.
Një apel i veçantë u është drejtuar edhe bashkëmoshatarëve, miqve dhe përdoruesve të tjerë të rrjeteve sociale që, në rast se vërejnë përmbajtje që lidhet me vetëlëndim apo mungesë shprese, të përdorin mekanizmat e raportimit në platformë dhe të njoftojnë menjëherë një të rritur ose organet kompetente.
“Sektori i Krimit Kibernetik mbetet i përkushtuar për mbrojtjen e qytetarëve në hapësirën digjitale dhe do të vazhdojë me aktivitete të intensifikuara për zbulimin dhe parandalimin e fenomeneve të rrezikshme”, thuhet në reagimin e MPB-së, duke theksuar se reagimi në kohë mund të shpëtojë jetë.

