Komunalec: Analizat rikonfirmojnë sigurinë e ujit të pijshëm në Gostivar

Ndërmarrja Publike “Komunalec” – Gostivar njofton qytetarët se rezultatet e analizave të njëpasnjëshme laboratorike rikonfirmojnë sigurinë e plotë të ujit për pije nga rrjeti i ujësjellësit publik, transmeton Gostivari Sot.

Në bazë të raporteve zyrtare të pranuara nga Qendra për Shëndet Publik Tetovë – Njësia Rajonale Gostivar, mostrat e analizuara dëshmojnë se uji i plotëson të gjitha standardet fiziko-kimike dhe mikrobiologjike, duke qenë në përputhje të plotë me normat ligjore për cilësinë dhe sigurinë e ujit të pijshëm.

Ekzaminimet janë realizuar nga Laboratori 1103/2026, i cili është i akredituar sipas standardit ndërkombëtar MKC EN ISO/IEC 17025:2018 për testimin kimik dhe mikrobiologjik të ushqimit dhe ujit.

Procesi i marrjes së mostrave është kryer në pikat e mëposhtme të rrjetit shpërndarës:

– Pompa e benzinës “Makpetrol” – Rruga JNA

– Ndihma e Shpejtë – Spitali i Përgjithshëm

– Çezma publike përballë Stacionit të Policisë

– Çezma pranë varrezave – fshati Banjicë e Poshtme

– Çezma publike para objektit të Komunës së Gostivarit

– Çezma e xhamisë – fshati Zdunjë

– Çezma publike – lagja Tullana

Për të gjitha mostrat e sipërpërmendura, referuar parametrave të karakteristikave higjieno-teknike, konstatohet përputhshmëri absolute me kriteret e përcaktuara për konsum të sigurt.

NP “Komunalec” – Gostivar ju siguron se monitorimi dhe kontrolli i cilësisë së ujit do të vazhdojë rregullisht, përmes marrjes së mostrave ditore dhe analizave rigoroze, për të garantuar një furnizim të sigurt për të gjithë qytetarët.

Analizat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *