Irani ka njoftuar të martën mbylljen e përkohshme të Ngushtica e Hormuzit për shkak të stërvitjeve ushtarake, në një moment kur negociatorët iranianë po zhvillonin një rund tjetër bisedimesh indirekte me Shtetet e Bashkuara lidhur me programin bërthamor të kontestuar të Republikës Islamike.
Sipas mediave shtetërore iraniane, forcat ushtarake kanë lëshuar raketa drejt zonës dhe ngushtica do të mbyllet për disa orë për “arsye sigurie dhe shqetësime detare”. Përmes kësaj rruge strategjike kalon rreth 20% e naftës botërore, çka e bën çdo zhvillim atje me ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet globale të energjisë.
Agjencia Associated Press (AP) shkruan se ky është një veprim i rrallë dhe potencialisht i paprecedentë nga ana e Teheranit, që mund të përshkallëzojë më tej tensionet në Lindjen e Mesme, në një kohë kur SHBA-ja ka shtuar retorikën kërcënuese dhe praninë ushtarake në rajon.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, ka paralajmëruar se “ushtria më e fortë në botë ndonjëherë mund të marrë një goditje të tillë që nuk mund të ngrihet më në këmbë”, duke lënë të kuptohet për një përgjigje të ashpër ndaj çdo sulmi të mundshëm.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka adoptuar një ton më të moderuar, duke shprehur optimizëm për negociatat dhe duke deklaruar se “është hapur një dritare e re” për arritjen e një marrëveshjeje. Ai i bëri këto komente gjatë një konference të OKB-së për çarmatimin, pas udhëheqjes së delegacionit iranian në bisedimet e zhvilluara në Gjenevë.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump, i cili gjatë mandatit të tij të parë anuloi marrëveshjen bërthamore me Iranin, ka përsëritur kërcënimet për përdorim force nëse Teherani nuk pranon kufizime më të rrepta ndaj programit të tij bërthamor. Irani, në anën tjetër, ka paralajmëruar se do të përgjigjet me sulm ndaj çdo agresioni.
Zhvillimet e fundit rrisin pasigurinë në rajon dhe shtojnë shqetësimet për stabilitetin energjetik dhe sigurinë globale.

