Policia ka intensifikuar kontrollet në trafik gjatë fundjavës në mbarë vendin, duke shqiptuar një numër të madh gjobash dhe masa ndëshkuese ndaj shoferëve që kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, vetëm gjatë kësaj fundjave janë shqiptuar gjithsej 1.198 gjoba për shkelje të ndryshme në trafik.
Nga këto, 465 shkelje kanë të bëjnë me tejkalimin e shpejtësisë së lejuar të lëvizjes. Po ashtu, 42 persona janë privuar nga liria për drejtim të pakujdesshëm të automjetit, ku tetë prej tyre janë kapur duke drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, 20 persona kanë vozitur pa patentë shoferi, ndërsa një person ka drejtuar automjetin pavarësisht ndalimit të mëparshëm për vozitje.
Gjatë kontrolleve policore janë konfiskuar edhe 13 automjete, në përputhje me nenin 300-b të Kodit Penal.
Sipas statistikave të policisë, gjatë fundjavës janë regjistruar edhe 173 shkelje për parkim të parregullt, si dhe 40 sanksione për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit.
Nga MPB bëjnë të ditur se kontrollet e trafikut do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë dhe respektimin e rregullave të komunikacionit.

