Dy fëmijë të vegjël, të moshës tre dhe katër vjeç, nga një fshat i rajonit të Kumanovës kanë përfunduar në spital pasi dyshohet se janë helmuar nga një lëng që përdoret për kultura bujqësore.
Sipas njoftimit të SPB Kumanovë, rasti është raportuar dje në polici nga një mjek i Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës rreth orës 11:52.
“Janë sjellë dy fëmijë të moshës tre dhe katër vjeç nga rajoni i Kumanovës, të cilët dyshohet se janë helmuar nga një lëng i përdorur për kultura bujqësore. Pas kontrollit mjekësor, ata janë transferuar për trajtim të mëtejshëm në Kompleksin e Klinikave Nënë Tereza në Shkup”, njoftojnë nga policia.
Nga spitali në Kumanovë bëjnë të ditur se gjatë kontrollit klinik, fëmijët kanë qenë në gjendje të mirë të përgjithshme dhe me parametra vitalë të qëndrueshëm. Megjithatë, për shkak të dyshimit për intoksikim, ata janë transportuar me ambulancë dhe të shoqëruar nga ekip mjekësor në Klinika Universitare për Sëmundje të Fëmijëve për trajtim dhe monitorim të mëtejshëm.
Autoritetet policore njoftojnë se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.
Ndërkohë, vitin e kaluar në spitalin e Kumanovës janë regjistruar edhe disa raste të tjera të fëmijëve të helmuar në situata të ndryshme, kryesisht nga ilaçe dhe detergjentë.

