Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën dhe së paku 25 të tjerë janë plagosur pas të shtënave me armë zjarri në një shkollë dhe në një banesë në Tumbler Ridge, në verilindje të Kolumbisë Britanike, Kanada.
Sipas Policisë Mbretërore të Kanadasë (RCMP), gjashtë viktima u gjetën në ambientet e Shkollës së Mesme Tumbler Ridge, ndërsa një tjetër ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital. Autoritetet bëjnë të ditur se një individ, që besohet të jetë autori i sulmit, u gjet i vdekur me atë që dyshohet të jetë plagë e vetëshkaktuar.
Distrikti shkollor lokal njoftoi se mësimet janë anuluar për pjesën tjetër të javës, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vijim. Policia deklaroi se është ende herët për të përcaktuar lidhjen mes shkollës dhe banesës ku u gjetën viktima të tjera.
“Ne besojmë se sulmet janë të lidhura, por në këtë fazë nuk mund të konfirmojmë natyrën e kësaj lidhjeje”, thuhet në deklaratën e autoriteteve.
Një nxënës i klasës së 12-të, Darian Quist, rrëfeu për CBC Radio West momentet e frikshme gjatë sulmit. Ai tregoi se rreth orës 13:30 sipas kohës lokale u dëgjua alarmi për izolim (lockdown), pas së cilës nxënësit u barrikaduan në klasë duke vendosur tavolina pas dyerve. Sipas tij, ata qëndruan të mbyllur për më shumë se dy orë derisa policia i shoqëroi jashtë shkollës.
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, reagoi duke u shprehur i “shkatërruar” nga ngjarja tragjike.
“Lutjet dhe ngushëllimet e mia më të thella janë me familjet dhe miqtë që humbën të dashurit e tyre në këto akte të tmerrshme dhune”, ka shkruar ai në rrjetin social X, duke falënderuar gjithashtu ekipet e emergjencës për reagimin e shpejtë.
Ngjarja në Tumbler Ridge konsiderohet një nga incidentet më të rënda me armë në historinë e Kanadasë. Në vitin 2020, 22 persona u vranë në Nova Scotia nga një person i armatosur, ndërsa në vitin 1989, 14 gra humbën jetën në sulmin në universitetin École Polytechnique në Montreal.
Kanadaja njihet për ligje më të rrepta për armët krahasuar me Shtetet e Bashkuara, çka i bën sulmet masive relativisht më të rralla.

