Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi gjatë një paraqitjeje në Fox Business se kishte vendosur të rrisë tarifat ndaj Zvicrës pas një bisede telefonike që e përshkroi si të tensionuar me përfaqësuesen më të lartë të vendit.

Trump tha se Shtetet e Bashkuara kishin një deficit tregtar prej 42 miliardë dollarësh me Zvicrën dhe se vendi evropian “nuk paguante tarifa”, ndërsa eksportonte mallra në SHBA në sasi të mëdha. “Duhet të bëjmë diçka për ta balancuar këtë”, u shpreh ai, duke shtuar se fillimisht kishte vendosur një tarifë prej 30%, të cilën e konsideronte të ulët.

Ai më tej pretendoi se kishte marrë një “telefonatë urgjente” nga ajo që e quajti kryeministrja e Zvicrës. Megjithatë, Zvicra nuk ka kryeministër, por qeveriset nga një Këshill Federal me shtatë anëtarë. Trump sqaroi se kishte biseduar me Karin Keller-Sutter, presidente e Këshillit Federal Zviceran për vitin 2025. Sipas tij, pas telefonatës ai vendosi t’i rrisë tarifat në 39%.

Deklaratat e tij u bënë virale në rrjetet sociale, ku përdorues të shumtë kritikuan mënyrën e arsyetimit të politikës tarifore, duke e cilësuar atë si të bazuar në emocione dhe jo në strategji ekonomike.

Muajin e kaluar, Trump njoftoi se kishte rënë dakord të ulte normën e tarifës nga 39% në 15%, pas presionit nga kompanitë zvicerane, por paralajmëroi se ajo mund të rritet sërish në të ardhmen. “E ula sepse nuk dua t’i lëndoj njerëzit. Por kjo nuk do të thotë se nuk mund të rritet përsëri”, deklaroi ai në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Ndërkohë, negociatorët amerikanë dhe zviceranë arritën në nëntor një marrëveshje paraprake për uljen e tarifës në 15%, me industrinë zvicerane që u zotua të investojë 200 miliardë dollarë në SHBA deri në fund të vitit 2028.

Kompanitë zvicerane e mirëpritën uljen e tarifave, duke theksuar se kjo i vendos ato në kushte të barabarta konkurruese me kompanitë e Bashkimit Evropian. Të dy vendet pritet të finalizojnë marrëveshjen deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2026.