Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se bisedimet dy-ditore me Rusinë në Gjenevë kanë sjellë vetëm përparim të kufizuar, megjithëse palët janë “afër” nënshkrimit të një dokumenti që do të përshkruajë parametrat e një armëpushimi.

Në mesazhin e tij të rregullt me video, Zelensky theksoi se Ukraina mbetet e interesuar për një rezultat konkret, por shtoi se deri tani arritjet nuk i përmbushin pritjet e Kievit.

“Ukraina është e interesuar për rezultatin. Në këtë pikë, nuk mund të themi se rezultati është i mjaftueshëm”, u shpreh ai, duke kritikuar ritmin dhe përmbajtjen e negociatave.

Sipas presidentit ukrainas, diskutimet mes zyrtarëve ushtarakë kanë përfshirë çështje serioze dhe thelbësore, por temat më të ndjeshme politike – përfshirë kompromiset e mundshme dhe organizimin e një takimi në nivel krerësh shtetesh – nuk janë trajtuar sa duhet.

Zelensky bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara do të udhëheqin procesin e monitorimit të armëpushimit, me përfshirjen edhe të partnerëve evropianë.

Ai kishte kërkuar që axhenda e bisedimeve të përfshinte përgatitjen e një takimi të drejtpërdrejtë me presidentin rus, Vladimir Putin. Kreu i Kremlinit është shprehur i gatshëm për një takim të tillë, por vetëm në Moskë – një kusht që Zelensky e ka refuzuar.

Pavarësisht dallimeve, presidenti ukrainas tha se në parim palët “kanë rënë dakord për pothuajse gjithçka”, duke lënë të hapur mundësinë për një marrëveshje nëse tejkalohen pengesat politike.