Një ngjarje e rëndë është raportuar sot në lagjen Taftalixhe të Shkupi, ku sipas informacioneve fillestare një grua dhe një fëmijë dyshohet se janë hedhur nga një ndërtesë banimi.

Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, trupat e pajetë janë gjetur në tokë pranë objektit, ndërsa në vendngjarje kanë dalë menjëherë ekipet e policisë dhe hetuesisë, të cilat po zhvillojnë procedurat përkatëse dhe po bisedojnë me banorët e zonës për të sqaruar rrethanat e rastit.

Deri në këto momente nuk ka një version zyrtar nga autoritetet lidhur me shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes. Pritet që organet kompetente të dalin me informacion zyrtar pas përfundimit të hetimeve fillestare.

Në mënyrë jozyrtare mësohet se gruaja, e cila dyshohet se është hedhur nga ndërtesa, më herët kishte denoncuar disa herë dhunë në familje. Megjithatë, ky informacion ende nuk është konfirmuar nga policia.

Hetimet janë në vijim, ndërsa autoritetet pritet të japin detaje shtesë në orët në vijim.