Negociatorët nga Ukraina dhe Rusia përfunduan të martën ditën e parë të bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara në Gjeneva, në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit katërvjeçar.
Takimi zhvillohet në një klimë të tensionuar, pasi Rusia kreu sulme ajrore gjatë natës në disa rajone të Ukrainës, duke dëmtuar rëndë rrjetin energjetik në qytetin portual të Odesa. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se sulmet lanë dhjetëra mijëra qytetarë pa ngrohje dhe ujë.
“Ne jemi gati të ecim shpejt drejt një marrëveshjeje të denjë për t’i dhënë fund luftës”, tha Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes, duke shtuar se po pret raportin e delegacionit ukrainas nga Gjeneva.
Negociatori kryesor i Ukrainës, Rustem Umerov, bëri të ditur se diskutimet e ditës së parë u fokusuan në “çështje praktike dhe mekanikën e vendimeve të mundshme”, pa dhënë detaje shtesë. Ai konfirmoi se bisedimet do të rifillojnë të mërkurën për ditën e fundit.
Sipas Reuters, presidenti amerikan Donald Trump i bëri presion Kievit që të veprojë me shpejtësi për arritjen e një marrëveshjeje. “Ukraina duhet të ulet shpejt në tryezë. Kjo është e gjitha që po ju them”, deklaroi ai para gazetarëve në bordin e Air Force One.
Bisedimet në Gjenevë pasojnë dy raunde të mëparshme në Abu Dhabi, të cilat përfunduan pa përparim të madh, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi çështje kyçe si kontrolli territorial në Ukrainën lindore. Rusia kërkon që Ukraina të heqë dorë nga rreth 20% e rajonit lindor të Donetskut që ende nuk është nën kontrollin e saj – kërkesë që Kievi e refuzon kategorikisht.
Në bisedime morën pjesë si përfaqësues amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Delegacione nga disa vende evropiane ishin të pranishme në Gjenevë, por nuk morën pjesë drejtpërdrejt në tryezën trepalëshe të negociatave.
Zhvillimet e fundit tregojnë për një proces të brishtë diplomatik, ndërsa palët mbeten larg në qëndrimet e tyre për çështjet thelbësore të konfliktit.

