Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Kina planifikon të porosisë deri në 120 avionë nga kompania evropiane Airbus, një marrëveshje që pritet të forcojë ndjeshëm bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.
Pas një takimi me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin, Merz theksoi se porosia e re përbën një hap të rëndësishëm në zgjerimin e marrëdhënieve tregtare dhe industriale mes Gjermanisë dhe Kinës. Lajmi u raportua fillimisht nga revista gjermane Der Spiegel.
“Udhëheqja kineze do të porosisë një numër të madh avionësh shtesë nga Airbus”, u shpreh Merz, duke lënë të hapur mundësinë edhe për kontrata të tjera me kompani gjermane, ndonëse disa prej tyre nuk janë finalizuar ende.
Megjithatë, krahas zhvillimeve pozitive në bashkëpunimin ekonomik, kancelari gjerman ngriti shqetësimin për deficitin tregtar të Gjermanisë ndaj Kinës, i cili aktualisht tejkalon 80 miliardë euro.
“Ky deficit është katërfishuar që nga viti 2020 dhe kjo nuk është e shëndetshme”, paralajmëroi Merz, duke theksuar nevojën për balancim të marrëdhënieve tregtare dhe krijimin e një konkurrence të drejtë dhe transparente.
Ai shtoi se ekziston potencial për rritje të mëtejshme ekonomike në të dyja vendet, por kjo kërkon një dialog më të thelluar në nivelin BE-Kinë, me fokus në çështjet monetare dhe tregtare.

