Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ndezur një tjetër debat politik pas fjalimit për Gjendjen e Kombit, duke publikuar një mesazh të ashpër në platformën e tij “Truth Social”, ku bëri thirrje për deportimin e disa prej kundërshtarëve të tij politikë dhe publikë.
Në postimin e tij, Trump përmendi përfaqësueset demokrate Ilhan Omar dhe Rashida Tlaib, të cilat reaguan gjatë fjalimit të tij në Dhomën e Përfaqësuesve. Të dyja janë qytetare amerikane.
Në shënjestër të presidentit ishte edhe aktori fitues i çmimit Oscar, Robert De Niro, një kritik i hershëm dhe i zëshëm i Trump. De Niro u shfaq në emisionin MS NOW, ku deklaroi se Trump “nuk do të largohet kurrë” nga detyra dhe se amerikanëve “u takon ta detyrojnë të largohet”.
“Ai nuk po bën shaka kur flet për shtetëzimin e zgjedhjeve. Kemi parë mjaftueshëm tashmë”, tha aktori, duke shprehur shqetësimin për drejtimin politik të vendit.
De Niro mori pjesë edhe në një aktivitet të quajtur “Gjendja e Kënetës” në Klubin Kombëtar të Shtypit, ku akuzoi një “grusht autoritarësh të pandershëm” për drejtimin e vendit dhe u shpreh se ndihej i tradhtuar nga zhvillimet aktuale politike.
Reagimi i Trump ishte i menjëhershëm dhe me tone të ashpra, duke përdorur gjuhë fyese ndaj De Niros dhe figurave të tjera publike. Ai përmendi gjithashtu aktoren dhe komedianen Rosie O’Donnell, me të cilën ka pasur përplasje publike prej vitesh.
Kujtojmë se vitin e kaluar Trump kishte kërcënuar me heqje të shtetësisë ndaj O’Donnell, pavarësisht një vendimi të mëparshëm të Gjykatës së Lartë që ndalon një veprim të tillë nga qeveria federale. Pas rizgjedhjes së tij, O’Donnell u zhvendos në Irlandë.
Deklaratat e fundit të presidentit kanë shkaktuar reagime të forta në skenën politike amerikane, duke thelluar më tej ndarjet mes administratës dhe kritikëve të saj.

