Aeroplanë ushtarakë amerikanë janë parë në pistën e Baza Ajrore Lajes, në Azore të Portugalisë, në një moment kur tensionet mes Amerikës dhe Iran janë në rritje.
Zhvillimi vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump ka sinjalizuar mundësinë e një sulmi të kufizuar ndaj Iranit, me qëllim ushtrimin e presionit për arritjen e një marrëveshjeje lidhur me programin bërthamor të Teheranit.
Sipas mediave portugeze, presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, ka konfirmuar se qeveria po monitoron nga afër përdorimin e bazës nga SHBA-të. Ai deklaroi se ministri i Jashtëm, Paulo Rangel, e kishte informuar për mundësinë e përdorimit të bazës në përputhje me marrëveshjen ekzistuese mes dy vendeve.
Sipas raportimeve, në bazë janë parë 11 avionë cisternë KC-46A Pegasus për furnizim me karburant në ajër, 12 avionë luftarakë F-16 Viper dhe një avion transporti strategjik C-17 Globemaster III, i aftë për dislokim të shpejtë trupash dhe pajisjesh në mbarë botën.
Nga ana tjetër, Pentagoni theksoi se Komanda Evropiane e SHBA-së pret rregullisht avionë dhe personel ushtarak në kuadër të marrëveshjeve me aleatët dhe partnerët.
Analistët ushtarakë kanë tërhequr paralele me Operacionin “Midnight Hammer”, kur Lajes shërbeu si qendër kyçe furnizimi për bombarduesit B-2 Spirit gjatë sulmeve ajrore mbi objektet bërthamore iraniane vitin e kaluar.
Ndërkohë, administrata amerikane ka shtuar praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, duke dislokuar anije luftarake, avionë luftarakë dhe pajisje të tjera strategjike. Disa raportime sugjerojnë se ushtria amerikane mund të jetë e gatshme për sulme të mundshme ndaj Iranit që këtë fundjavë, ndonëse nuk ka konfirmim zyrtar për një operacion të afërt.

