Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot qytetin e Tetovë, ku një fëmijë 10-vjeçar ka humbur jetën pasi ka rënë nga ballkoni i apartamentit ku jetonte.

Sipas informacioneve nga SPB Tetovë, rasti është denoncuar në orën 09:25. Fëmija është dërguar me urgjencë në Spitali Klinik i Tetovës, por përkundër përpjekjeve, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.

Nga policia bëhet e ditur se 10-vjeçari, i cili kishte probleme shëndetësore, dyshohet se ka rënë nga ballkoni i banesës. Prindërit janë njoftuar për rastin nga një fqinj, pas së cilës e kanë transportuar menjëherë fëmijën në spital.

Me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë është dërguar për autopsi, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ngjarja ka shkaktuar trishtim të madh në opinionin publik në Tetovë.