Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi sot se është “shumë skeptik” për mundësinë e arritjes së një paqeje afatshkurtër në Ukraine.

Gjatë një videokonference me liderët e vendeve anëtare të të ashtuquajturës “Koalicioni i Vullnetit”, të cilët u mblodhën simbolikisht në Kiev me rastin e përvjetorit të katërt të pushtimit rus, Macron theksoi se nuk sheh shenja konkrete për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit.

“Jam shumë skeptik, për të mos thënë më shumë, për mundësinë e arritjes së një paqeje afatshkurtër”, u shpreh ai.

Megjithatë, presidenti francez nënvizoi se është e rëndësishme të vazhdojnë iniciativat për negociata paqeje, duke shtuar se sipas tij “nuk ka vullnet nga pala ruse për të arritur paqe”.

Deklarata e Macron vjen në një moment kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës vazhdojnë, ndërsa përplasjet në terren mbeten intensive dhe situata humanitare sfiduese.