Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë njoftoi se sot në mëngjes, nga ora 08:40, për shkak të një rrëshqitjeje dheu në aksin rrugor A1 Katllanovë–Veles, trafiku po zhvillohet me devijim në një korsi, në një segment me gjatësi rreth 20 deri në 25 metra.

Sipas informacionit nga Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë, në vendngjarje kanë dalë ekipet e NP Rrugët e Maqedonisë, të cilat po punojnë për pastrimin e materialit të rënë dhe normalizimin sa më të shpejtë të qarkullimit.

Autoritetet apelojnë tek drejtuesit e automjeteve që të lëvizin me kujdes të shtuar në këtë segment dhe të respektojnë sinjalizimin e përkohshëm rrugor deri në sanimin e plotë të situatës.

Nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa pritet që trafiku të rikthehet në normalitet pas përfundimit të ndërhyrjes së ekipeve në terren.