Qeveria ka vendosur që pirja e duhanit të lejohet vetëm në hapësira të jashtme, si tarraca, që duhet të jenë të hapura të paktën nga dy anët. Ky vendim vjen pas ndryshimit të projektligjit fillestar, i cili parashikonte hapje në tre anë, një masë e pamundur për shumë ndërtesa të qytetit.
Presidenti i Dhomës së Turizmit dhe Mikpritjes, Perica Golomeiq, theksoi se ndalimi i pirjes së duhanit brenda ambienteve të biznesit mbetet i plotë. “Në ambientet e biznesit, brenda, nuk do të pihen cigare, ‘iqos’ ose ‘vapes’. Pirja e duhanit do të vazhdojë në tarraca, të përshtatura sipas ligjit të ri – të hapura në të paktën dy anët dhe të mbyllura deri në 1.40 metra për siguri dhe ventilim natyror”, tha Golomeiq.
Megjithëse ofruesit e shërbimit të ushqimit kërkuan një periudhë trevjeçare për t’u përshtatur, qeveria ka vendosur të mundësojë maksimum një vit kohë për adaptimin e mjediseve.

