Qeveria e Suedisë ka prezantuar detajet e një reforme të re ligjore që parashikon uljen e moshës së përgjegjësisë penale për vepra të rënda nga 15 në 13 vjeç. Nisma, e propozuar nga qeveria konservatore me mbështetjen e forcave të djathta, synon të adresojë rritjen e dhunës së lidhur me krimin e organizuar dhe do të zbatohet fillimisht për një periudhë pesëvjeçare.

Reforma do të prekë veçanërisht të miturit e përfshirë në krime të rënda si vrasje dhe shpërthime me eksploziv. Autoritetet kanë ngarkuar tetë institucione korrektuese për të krijuar njësi të posaçme për të rinjtë nën 15 vjeç, ndërsa tre prej tyre pritet të jenë funksionale deri më 1 korrik, kur ligji i ri hyn në fuqi.

Ministri suedez i Drejtësisë, Gunnar Strömmer, deklaroi se të miturit do të mbahen të ndarë nga të rriturit dhe do të kenë kushte të përshtatura për moshën e tyre. Sipas tij, ata do të qëndrojnë në qeli 11 orë gjatë natës, ndërsa gjatë ditës do të kenë qasje në arsim, hapësira rekreative dhe shërbime shëndetësore brenda institucioneve.

Deri më tani, të miturit në Suedi trajtoheshin në qendra edukative të mbyllura me fokus në rehabilitim dhe riintegrim social. Megjithatë, qeveria argumenton se këto qendra nuk kanë arritur të frenojnë rekrutimin e të rinjve nga rrjetet kriminale.

Reforma ka hasur kundërshtim të gjerë. Shumica e institucioneve të konsultuara kanë dhënë opinion negativ, ndërsa organizatat për të drejtat e fëmijëve paralajmërojnë se burgosja në një moshë kaq të hershme mund të rrisë rrezikun e rikthimit në krim. Edhe administrata e burgjeve ka shprehur shqetësime për mungesën e kohës dhe trajnimit të stafit për të punuar me fëmijë.

Autoritetet suedeze theksojnë se, megjithëse numri i përgjithshëm i krimeve të kryera nga të rinjtë ka rënë, natyra e tyre është bërë më e rëndë, me përfshirje të shtuar të armëve dhe eksplozivëve nga persona nën 15 vjeç. Sipas tyre, ndryshimet në kriminalitet kërkojnë masa më të ashpra ligjore.