Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se javët në vijim do të jenë intensive sa i përket angazhimit diplomatik dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, me synimin për të siguruar mbështetje konkrete për vendin e tij.
Në fjalimin e tij me video, të cituar nga agjencia Ukrinform, Zelensky theksoi nevojën urgjente për përforcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, veçanërisht kundër sulmeve balistike ruse.
“Secili prej partnerëve tanë duhet ta njohë forcën dhe aftësinë e tij për të mbështetur Ukrainën dhe për të mbrojtur jetët. Raketat për mbrojtjen ajrore janë të nevojshme çdo ditë. Mbrojtja kundër sulmeve balistike ruse është e domosdoshme çdo ditë. Sot, raketat balistike goditën sërish rajonin e Kievit”, deklaroi presidenti ukrainas.
Ai shtoi se asnjë shtet nuk duhet të mbetet i vetëm përballë sulmeve të tilla dhe një lufte të kësaj shkalle, duke apeluar për solidaritet ndërkombëtar.
Zelensky nënvizoi se në javët e ardhshme do të ketë një angazhim aktiv me partnerët e Ukrainës dhe se pret rezultate konkrete nga këto përpjekje diplomatike.
“Javët e ardhshme do të jenë aktive në punën tonë me partnerët. Si gjithmonë, nevojiten rezultate. Duhet të ketë rezultate”, tha ai.
Në fund, presidenti ukrainas shprehu mirënjohjen për të gjitha vendet dhe individët që vazhdojnë të qëndrojnë në krah të Ukrainës.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ukrinform, gjatë javës së kaluar Federata Ruse ka ndërmarrë sulme masive ndaj Ukrainës, duke përdorur më shumë se 2.000 dronë sulmues, rreth 1.200 bomba ajrore të drejtuara dhe 116 raketa të llojeve të ndryshme.

