Një stuhi e fuqishme dimërore ka goditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shkaktuar pasoja të rënda në disa shtete të vendit. Si pasojë e kushteve ekstreme të motit, mijëra persona kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa qindra shkolla dhe rrugë janë mbyllur.

Sipas Shërbimit Kombëtar për Motin, mbi 11 mijë fluturime janë anuluar në të gjithë SHBA-në për shkak të kushteve të cilat janë cilësuar si “të rrezikshme për jetën”.

Kryetari i Qytetit të New Yorkut, Mamdani, ka bërë të ditur se pesë persona kanë humbur jetën si pasojë e motit ekstrem. Të paktën dy persona kanë vdekur nga hipotermia në Luizianë, ndërsa vdekje të tjera të lidhura me stuhinë janë raportuar edhe në shtetet e Teksasit, Tenesit dhe Kansasit.

Autoritetet amerikane kanë paralajmëruar se në ditët në vijim priten reshje të shumta bore, temperatura shumë të ulëta dhe formim i akullit të zi, duke rritur rrezikun për aksidente dhe ndërprerje të mëtejshme të shërbimeve.

Sipas vlerësimeve, stuhia dimërore ka prekur mbi 180 milionë amerikanë, ndërsa ekipet emergjente mbeten në gatishmëri të lartë për të përballuar situatën.