Stuhia e fuqishme Goretti ka goditur Evropën Veriore, duke shkaktuar erëra ekstreme, ndërprerje masive të energjisë elektrike dhe paralizim të transportit në disa shtete, mes temperaturave shumë të ulëta.

Erërat e forta përfshinë Francën dhe Britaninë e Madhe të premten, duke lënë pa energji elektrike qindra mijëra familje. Në Francë, rreth 380 mijë familje mbetën pa rrymë, shumica në rajonin verior të Normandisë, bëri të ditur kompania e energjisë Enedis. Ndërkohë, BBC raportoi se rreth 65 mijë familje janë pa energji elektrike në Britani.

Autoritetet franceze konfirmuan se gjatë natës, në rajonin veriperëndimor Mançe, u regjistruan erëra që arritën shpejtësi deri në 216 kilometra në orë. Stuhia shkaktoi rrëzimin e pemëve në disa zona dhe në të paktën një rast një pemë ra mbi një ndërtesë banimi, por fatmirësisht nuk u raportuan të lënduar.

Në Britani, Shërbimi Meteorologjik paralajmëroi për erëra deri në 160 km/h dhe kushte jashtëzakonisht të rrezikshme në zonat bregdetare, për shkak të valëve shumë të mëdha. U lëshua alarm i kuq për erëra, niveli më i lartë i rrezikut, për ishujt Skilli dhe Kornuall në jugperëndim të Anglisë – një masë që rrallë aplikohet. Po ashtu, u shpall alarm portokalli për reshje bore në Uells, Anglinë Qendrore dhe veriun e Anglisë, ku në disa zona priten deri në 30 centimetra borë.

Shërbimi hekurudhor britanik njoftoi për ndikim serioz në trafikun e trenave gjatë ditëve në vijim dhe u bëri thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet, përveç rasteve të domosdoshme.

Francën veriore, shkollat vazhdojnë të jenë të mbyllura, ndërsa paralajmërime për mot të rrezikshëm janë lëshuar në 30 rajone të tjera. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë brenda, të shmangin përdorimin e automjeteve dhe të përgatisin furnizime bazë si ujë dhe ndriçim emergjent.

Kushtet ekstreme të motit në Evropë kanë shkaktuar të paktën tetë viktima. Në Shqipëri, policia në Durrës nxori trupin e pajetë të një burri nga ujërat pas përmbytjeve, ndërsa në Kosovë janë raportuar dëme materiale nga përmbytjet, por pa viktima.

Gjermani, reshjet e borës dhe erërat e forta në veri pritet të ndikojnë në shkolla, spitale dhe transport. Shërbimi Meteorologjik gjerman parashikon deri në 15 centimetra borë në veri dhe rrezik ngricash në jug, ndërsa temperaturat gjatë fundjavës mund të zbresin deri në -20 gradë Celsius. Disa qytete, përfshirë Hamburgun dhe Bremenin, kanë mbyllur shkollat, ndërsa kompania hekurudhore Deutsche Bahn paralajmëroi vonesa të mëdha dhe anulime, duke mobilizuar mbi 14 mijë punonjës për pastrimin e borës.

Meteorologët gjermanë kanë bërë të ditur se stuhia pritet të zgjasë deri të shtunën, ndërsa reshjet e borës do të ndalen të hënën. Ekspertët theksojnë se kjo stuhi përbën një përjashtim nga dimrat e butë të viteve të fundit, të cilët lidhen me ndryshimet klimatike, megjithëse ekziston ende mundësia që i gjithë muaji të jetë i ftohtë dhe me borë.