Në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, partia Aleanca për Shqiptarët (ASH) po përjeton një krizë të thellë identitare dhe organizative, si pasojë e ndarjeve të brendshme dhe pretendimeve të shumta për përfaqësim legjitim. Në fokus të këtij debati janë tre figura kyçe: Ziadin Sela, Arben Taravari dhe Arben Fetai — secili duke vepruar në emër të ASH-së, duke e lënë të paqartë se kujt realisht i takon kjo parti, shkruan Flaka
Driton ZENKU
Kronologjia e ngjarjeve kryesore:
- Para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024, Arben Taravari, atëherë lider i ASH-së dhe kryetar komune në Gostiva,r njoftoi largimin nga koalicioni qeverisës me LSDM-në dhe BDI-në, dhe kalimin në kampin opozitar të përbërë nga partitë e Lëvizjes Evropiane për Ndryshim (LEN), që më pas mori emrin VLEN.
- Pas vendimit të Taravarit, një pjesë e strukturave të ASH-së nuk e përkrahën këtë lëvizje, dhe si kundërpërgjigje, rikthyen Ziadin Selën në krye të partisë.
- Së fundmi, në këtë situatë të fragmentuar, doli në skenë edhe Arben Fetai, i cili krijoi një të ashtuquajtur Këshill Koordinues të ASH-së, duke shpallur rikthimin e partisë në koalicionin qeveritar, këtë herë në suaza të VLEN-it dhe në bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në, duke u distancuar nga pjesa tjetë e partisë të drejtuar nga Taravari i cili para disa javësh njoftoi largimin nga koalicioni VLEN dhe qeverisja me partinë e Kristijan Mickoskit.
Kjo ka çuar në një situatë të paqartë ku tre palë politike pretendojnë përfaqësimin legjitim të Aleancës për Shqiptarët, duke nxitur një debat të gjerë në opinionin publik dhe mediatik.
Situata brenda palëve që thirren në emër të Aleancës për Shqiptarët mbetet e tensionuar dhe e paqartë. Zhvillimet e fundit kanë nxitur një debat të nevojshëm mbi përfaqësimin legjitim, drejtimin e ardhshëm dhe integritetin institucional të partive shqiptare në vend.
Agjencia Flaka do të vazhdojë me një cikël analizash me ekspertë për të ndriçuar më tej pyetjen: Kujt realisht i takon Aleanca për Shqiptarët?
Analiza dhe opinioni i analistit politik Destan Jonuzi:
Gazetari dhe analisti politik Destan Jonuzi, në një intervistë për agjencinë e lajmeve Flaka, ka komentuar këto zhvillime duke theksuar se Aleanca për Shqiptarët i takon anëtarëve dhe aktivistëve të saj të vërtetë, të cilët prej themelimit e kanë ndërtuar atë si një subjekt që përfaqëson interesat reale të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Jonuzit:
“Aleanca për Shqiptarët, sa është e Arben Taravarit, aq është edhe e Ziadin Selës. Të dy kanë dhënë shumë për këtë subjekt politik. Por në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet e Arben Fetait.”
Ai e konsideron Fetain si një figurë pa ndikim të madh politik dhe me mungesë të karizmës së nevojshme për të udhëhequr një subjekt politik si ASH-ja. Jonuzi thekson se grupi rreth Fetait ka shfrytëzuar ASH-në për interesa personale dhe grupore dhe se veprimet e tij aktualisht janë duke dëmtuar më shumë interesin shqiptar në përgjithësi, sesa duke sjellë ndonjë përfitim konkret.
Në vlerësimin e tij për Taravarin, Jonuzi shprehet:
“Arben Taravari është lider i guximshëm, i cili kur pa se proceset politike nuk shkonin në interes të shqiptarëve, gjeti forcën të largohet nga pushteti dhe të rikthehet te qytetari. Ai është një lider tipik shqiptar, i vërtetë, modern dhe model për t’u ndjekur.”
Për më tepër, Jonuzi kujton se Taravari mori mbi 80 mijë vota në zgjedhjet presidenciale, pavarësisht sabotimeve të pretenduara nga brenda koalicionit opozitar VLEN — një fakt që sipas tij dëshmon mbështetjen dhe legjitimitetin që ai gëzon në mesin e shqiptarëve.
Aktualisht, ASH-ja e Ziadin Selës vepron në opozitë dhe në kuadër të koalicionit Fronti Evropian, ASH-ja e Arben Taravarit sapo ka dalur në opozitë dhe punon në drejtim të konsolidimit opozitar, ndërsa krahu i Arben Fetait vazhdon qeverisjen me VLEN dhe VMRO-DPMNE, duke mbajtur postet qeveritare që i takonin paraprakisht ASH-së së Taravarit.
Ndërkohë që në kontest gjyqësorë janë krahu i Selës dhe Taravarit, përsa i përket pjesës juridike të përfaqësimit. Nuk ka një vendim final dhe vijon beteja në instancat e gjyqësorit. Nuk dihet si do të vepron krahu i Fetait i cili duket afër shkrirjes në një subjekt të vetëm të quajtur VLEN. Flaka Media