Ndërmarrja Publike “Komunalec” – Gostivar u bën apel qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi gjatë parkimit të automjeteve dhe të mos bllokojnë hapësirat para kontejnerëve të mbeturinave.
Nga ndërmarrja bëjnë të ditur se parkimi i automjeteve para kontejnerëve pengon qasjen e kamionëve për mbledhjen e mbeturinave, duke pamundësuar zbrazjen e tyre në kohë. Si pasojë, kontejnerët stërmbushen, krijohen erëra të pakëndshme dhe vështirësohet mirëmbajtja e higjienës publike.
Përmes fotografive të publikuara, “Komunalec” tregon se parkimi i papërgjegjshëm mund të pengojë drejtpërdrejt punën e ekipeve të pastrimit dhe të ndikojë në pastërtinë e hapësirave publike.
Apeli është i qartë: mos i bllokoni kontejnerët! Një parkim i kujdesshëm dhe disa sekonda më shumë vëmendje mund të bëjnë dallimin mes një shërbimi të rregullt dhe mbeturinave të grumbulluara në rrugë.
Nga NP “Komunalec” falënderojnë qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë së përbashkët për një Gostivar më të pastër. Gostivari Sot



