Teuta Minahi është emëruar drejtoreshë e Shkollës së Mesme Teknike Komunale në Gostivar, duke marrë drejtimin e institucionit arsimor ku ka ligjëruar për shumë vite.
”Sot, zyrtarisht nisa detyrën time si drejtor në ShMTK duke hapur kështu një kapitull të ri në rrugëtimin tim profesional.
Kjo ditë ishte një ditë e mbushur me plot emocione, mirënjohje dhe një pritje e ngrohtë nga kolegët dhe nxënësit, të cilën do ta kujtoj gjithmonë me shumë dashuri. Ju falënderoj nga zemra për urimet, mbështetjen dhe besimin tuaj. Me përkushtim, bashkëpunim dhe dashuri për arsimin, do të punojmë së bashku për të krijuar mundësi të reja dhe për të arritur suksese të përbashkëta në të mirë të nxënësve dhe shkollës sonë”, shprehet Minahi.
Minahi vjen në këtë detyrë pas pensionimit të profesorit Besir Saliu, i cili e drejtoi shkollën gjatë viteve të fundit.

Emërimi i Minahit vjen në kuadër të marrëveshjes së koalicionit mes Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe Aleancës për Shqiptarët (ASH), përkatësisht Aleancës Kombëtare Shqiptare, në nivel lokal. Ajo është kuadër i BDI-së.
Me marrjen e detyrës së re, Minahi do të udhëheqë një nga institucionet e rëndësishme arsimore të Gostivarit, ku për vite me radhë ka qenë pjesë e stafit mësimor.
Ndryshimi në drejtimin e shkollës shënon kalimin e përgjegjësisë nga profesori Besir Saliu te Teuta Minahi, e cila tashmë do të jetë në krye të institucionit ku ka zhvilluar një pjesë të rëndësishme të karrierës së saj profesionale. /Gostivari Sot/

