Ministria e Punëve të Brendshme njofton se më 3 prill 2026, në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë, një 38-vjeçar nga Shkupi ka denoncuar një rast mashtrimi kompjuterik ndaj kompanisë ku është i punësuar, me seli në fshatin Vrapçishtë.
Sipas denoncimit, gjatë procesit të porositjes së mallrave nga një kompani e huaj, persona të panjohur kanë ndërhyrë në komunikimin elektronik mes palëve. Duke u paraqitur si përfaqësues të firmës, ata kanë arritur t’i vënë në lajthitje përfaqësuesit e kompanisë, duke i bindur që të transferojnë shumën prej 13.572 euro në një llogari bankare të rreme.
Autoritetet bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rastit.
Ky rast rikthen në vëmendje rrezikun në rritje nga mashtrimet kibernetike, veçanërisht në komunikimet afariste ndërkombëtare, ku ndërhyrjet në email apo platformat digjitale po përdoren gjithnjë e më shpesh për përfitime të paligjshme.

