Kronikë e zezë në Pollog: Kërcënime me thikë, grabitje dhe sulm fizik, disa të arrestuar

Policia ka regjistruar disa incidente në Tetovë dhe Gostivar, përfshirë raste të marrjes së parave dhe pronës nën kërcënimin e mjeteve të mprehta, si dhe një sulm fizik pas një mosmarrëveshjeje për vendparkim.

Sipas njoftimit të policisë, më 26 nëntor 2026, në orën 15:15, në SPB Tetovë, M.A. (43) nga Tetova ka raportuar se në qytet një i mitur 14-vjeçar, nën kërcënimin e një mjeti të mprehtë, i kishte marrë para djalit të tij 14-vjeçar.

Sipas denoncimit, i njëjti i mitur dyshohet se edhe më parë kishte kryer të njëjtën vepër ndaj djalit të tij. Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit.

Kërcënoi me thikë 55-vjeçaren dhe ia mori portofolin

Në një rast tjetër, më 26 nëntor, në orën 20:30, në rrugën „Kiro Ristovski Drnc“ në Tetovë, policia ka arrestuar G.S. (40) nga Tetova.

Sipas raportimit policor, rreth orës 18:20, në një lokal hotelierik në Tetovë, ai nën kërcënimin e një mjeti të mprehtë ia kishte marrë portofolin 55-vjeçares Sh.M. nga Tetova.

Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një thikë. I dyshuari është mbajtur në stacion policor për procedurë të mëtejshme.

Konflikti për parkingun përfundon me dy arrestime në Gostivar

Ndërkohë, në Gostivar, më 26 nëntor, në orën 18:30, zyrtarët policorë të DPB Gostivar kanë privuar nga liria B.Sh. (36) dhe R.R. (26), të dy nga Gostivari.

Sipas policisë, rreth orës 18:00, para një lokali hotelierik në Gostivar, pas një mosmarrëveshjeje të mëparshme për hapësirë parkimi, të dy kanë sulmuar fizikisht M.S. (41) nga Gostivari.

Gjatë incidentit, ata e kanë shtyrë edhe bashkëshorten e tij, e cila në krah mbante fëmijën e tyre të mitur.

Të dy personat janë mbajtur në stacion policor, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit do të pasojnë parashtresat përkatëse.

Të gjitha rastet janë duke u trajtuar nga organet kompetente.

Flaka