Gostivar, nxënësit e shkollës “Ismail Qemali” shënojnë 28 Nëntorin me krijime artistike

Ditës së Flamurit, nxënësit e shkollës fillore “Ismail Qemali” në Gostivar kanë shënuar këtë festë kombëtare përmes një aktiviteti kreativ, duke prezantuar vizatime dhe punime artistike të frymëzuara nga flamuri kombëtar, simbolet shqiptare, veshjet tradicionale dhe trashëgimia kulturore.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, si dhe përfaqësues të Muftinisë së Gostivarit.

Përmes një njoftimi, shkolla fillore “Ismail Qemali” – Gostivar, nën drejtimin e drejtorit Shkëlqim Miftari, bëri të ditur se nxënësit, me përkushtim, talent dhe kreativitet, kanë shprehur dashurinë për atdheun, krenarinë për identitetin kombëtar dhe respektin për historinë e traditat shqiptare.

“Përmes ngjyrave dhe artit, ata përcollën mesazhin se dashuria për atdheun kultivohet që në fëmijëri dhe trashëgohet brez pas brezi”, tha drejtori Shkëlqim Miftari.

Fjalë pati edhe kryetari Limani, i cili tha që kjo festë le të shërbej si amanet per te vijuar shenimin e datave historike te popullit shqiptar.

Aktiviteti u shndërrua në një mundësi për të promovuar vlerat kombëtare dhe për të përcjellë te brezat e rinj rëndësinë e ruajtjes së identitetit, kulturës dhe traditave shqiptare.

Në fund, shkolla përcolli urimet për festën e 28 Nëntorit, duke theksuar mesazhin: “Lavdi historisë, krenari për flamurin dhe respekt për rrënjët tona!” Gostivari Sot