Gostivari me rezultate në skenën ndërkombëtare të MMA-së

Klubi i arteve marciale të përziera (MMA) “Protector” nga Gostivari ka shënuar rezultate në turneun ndërkombëtar MFC 26, ku garuan rreth 400 sportistë nga 10 shtete, përfshirë Italinë, Hungarinë dhe Rumaninë.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, klubi bëri të ditur se në këtë turne, i cili paraqet një mundësi për fitimin e përvojës dhe matjen e nivelit sportiv në skenën ballkanike dhe pjesërisht evropiane të MMA-së, garuesit e tij fituan dy medalje, ndërsa njëri prej tyre përfundoi në vendin e tretë.

Rezultatet e garuesve të MMA Protector:

– Fidan Fidani (-120 kg) – Shënoi dy fitore me përfundim të parakohshëm të meçeve (finish), duke treguar paraqitje të mirë si në luftimin në tokë, ashtu edhe në këmbë.

– Donart AdemI (-84 kg) – Garoi në një kategori më të lartë se ajo e tij natyrore (-77 kg), për shkak të mungesës së kundërshtarëve. Ai shënoi dy fitore me finish, ndërsa në një duel tjetër pësoi humbje të ngushtë me vendim të ndarë të gjyqtarëve.

– Ylber Bedo (-67 kg) – Shënoi një fitore me TKO (nokaut teknik) pas goditjeve me këmbë, ndërsa pësoi një humbje në një duel ku, sipas klubit, mosnjohja e formatit të raundeve ndikoi në paraqitjen e tij. Kundërshtari i tij përfundoi turneun në vendin e parë.

Nga klubi theksojnë se, pavarësisht rezultateve, turneu ishte një përvojë e rëndësishme për sportistët dhe një mundësi për të matur nivelin e tyre me kundërshtarë të fortë.

Klubi shprehu mirënjohje për trajnerët, mbështetësit dhe të gjithë ata që kontribuuan në përgatitjen dhe pjesëmarrjen e sportistëve në këtë garë. Gostivari Sot