Përmes një letre drejtuar presidentit amerikan Donald Trump, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar gatishmërinë e vendit të tij për të qenë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën.
“Është njëkohësisht privilegj dhe nder të kontribuoj në këtë përpjekje të rëndësishme dhe të bëhem pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare e konsideron krijimin e këtij bordi një domosdoshmëri, sidomos në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë skenën ndërkombëtare. “Paqja duhet të formësohet aktivisht, e jo të pritet pasivisht apo të diskutohet pafundësisht në forume politike,” shtoi ai.
Rama falënderoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara për rolin vendimtar në promovimin e paqes dhe stabilitetit, duke theksuar gatishmërinë e Shqipërisë për të qëndruar pranë SHBA-ve në përpjekjet globale për paqe dhe siguri.
Ceremonia e nënshkrimit për krijimin e Bordit të Paqes do të mbahet në Davos më 22 janar, ndërsa angazhimi i Shqipërisë duhet të miratohet më pas nga Parlamenti.

