Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, theksoi të martën respektin e tij për sovranitetin e Grenlandës dhe integritetin territorial të Danimarkës, pas kritikave evropiane ndaj planeve të Presidentit amerikan Donald Trump për të kontrolluar territorin vetëqeverisës danez.
Në një mesazh audio për gazetarët, Zelensky shtoi se është “i shqetësuar për çdo shpërqendrim nga lufta e Rusisë në Ukrainë” dhe theksoi rëndësinë e sanksioneve më të ashpra kundër Moskës, forcimit të mbrojtjes ajrore dhe garancive të sigurisë nga Shtëpia e Bardhë.
“Ne duhet të mbijetojmë. Po luftojmë për pavarësinë, lirinë dhe ekzistencën tonë. Kemi nevojë për gjithë ndihmën që mund të marrim”, tha Zelensky. Ai shtoi se SHBA-të mund të bëjnë më shumë dhe Ukraina e beson këtë.

