Shtetasi turk Kadir Kara, i cili pranoi fajësinë për vrasjen e një bashkëkombësi të tij në një kafene në sheshin “Sloboda” në Shtip, është dënuar me 17 vite burg dhe dëbim nga Maqedonia pas përfundimit të vuajtjes së dënimit.

Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Shtip, Sasko Georgiev, bëri të ditur se vendimi u mor pas seancës dëgjimore më 19 dhjetor 2025, ku Kara pranoi fajësinë për veprat penale të “vrasjes” dhe “posedimit të paautorizuar të armëve”.

Ndërkohë, gjykimi i katër personave të tjerë, të akuzuar se ndihmuan Karan të kryente vrasjen, vazhdoi sot në Gjykatën Themelore të Shtipit. Provat përkatëse u paraqitën në sallën e gjyqit, ndërsa gjykimi i tyre do të vazhdojë më 20 janar në orën 10:30.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 8 maj 2025, kur një shtetas turk u vra në një restorant në sheshin “Sloboda”. Pas vrasjes, i pandehuri u përpoq të arratisej me ndihmën e katër personave, por të gjithë u kapën në një pikë pagese në autostradën Goce Delçev, në rrugën nga Shtipi për në Shkup.