Maqedonia e Veriut po kalon periudhën më të vështirë të vitit sa i përket gripit. Në 7 ditët e fundit, janë regjistruar 2880 raste me viroza të stinës, ku kryesisht dominojnë moshat nga 15 deri në 64 vjeç. Nuk mungojnë as fëmijët,, ku një pjesë e tyre janë shtruar në spital për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Për një javë, janë raportuar 2880 raste të të prekurve nga gripi ose virozat e stinës. Kjo shënon një ulje prej 5.1% krahasuar me javën e parë të Shkurtit, por një rritje prej 53.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Drejtoresha e Institutit për Shëndet Publik, Marija Andonovska, njoftoi se grupi më i prekur nga gripi është ai mes moshës 15 deri në 64 vjeç, me 1552 raste të regjistruara. Ndërsa 685 raste janë te fëmijët nga 5 deri në 14 vjeç ndërsa 317 raste te fëmijët nën 4 vjeç. Po ashtu, 272 persona mbi 65 vjeç janë diagnostikuar me grip javën e fundit.
“Vihet re një rritje e numrit të të prekurve nga viruset e ngjashme me gripin. Rezultatet e marra tregojnë se ka një përhapje të gjerë gjeografike të virusit, ndërsa përqindja e pozitivitetit ka qenë mbi 10% për pesë javë radhazi. Sipas të dhënave, Maqedonia ka një intensitet të lartë të virusit të gripit në këtë periudhë të vitit”, tha Andonovska e Institutit për Shëndetin Publik në Maqedoni. Në Klinikën e sëmundjeve të frymëmarrjes, janë mbi 220 fëmijë në ditë që kërkojnë ndihmë mjekësore.
“Sipas analizave është e qartë se bëhet fjalë për grip. Pacientët vijnë me temperaturë, të plogësht dhe me probleme në pjesën e frymëmarrjes të cilat në rast komplikimi shkaktojnë edhe pneumoni dhe këto raste duhet të shtrohen në spital. Për momentin kemi 9 fëmijë të hospitalizuar me influencë por përveç gripit edhe foshnjat me virusin RSV i hospitalizojmë për shkak të mundësisë për komplikim”, tha Katerina Boshkova, drejtoreshë e spitalit “Kozle”.
Mjekët paralajmërojnë se këtë sezon po qarkullojnë variante të shumta të virusit të gripit, duke përfshirë gripin A(H3), A(H1)pdm09 dhe gripin B. Disa pacientë po raportojnë simptoma më të rënda krahasuar me vitet e mëparshme, duke bërë që situata të jetë më shqetësuese. Kjo rritje e intensitetit të simptomave tregon se gripi i këtij viti mund të ketë një ndikim më të madh te individët, veçanërisht te ata më të prekshëm, si fëmijët dhe të moshuarit. Sipas mjekëve, pacientët që preken nga gripi A shpesh paraqesin një tablo klinike më të rëndë në krahasim me ata të infektuar me gripin B. Gripi A, veçanërisht nën varianti A(H3N2) dhe A(H1N1)pdm09, ka tendencë të shkaktojë simptoma më intensive, si temperaturë të lartë, kollë të fortë, dhimbje muskujsh dhe dobësi të përgjithshme. Pacientët me grip A kanë më shumë mundësi të zhvillojnë komplikime të tilla si pneumonia, bronkiti ose përkeqësimi i kushteve kronike ekzistuese, të cilat mund të kërkojnë shtrimin në spital. Nga ana tjetër, gripi B zakonisht shkakton simptoma më të lehta, megjithatë, nuk duhet nënvlerësuar.
Мјеku Sedat Bajrami thotë se gjatë muajve të këtij viti, kemi vënë re një rritje të numrit të pacientëve të prekur nga viruse të ndryshme, veçanërisht tek fëmijët, të cilët kanë pasur vështirësi për t’u shëruar dhe kanë kërkuar trajtim në spital për periudha deri në dy javë. “Kjo mund të lidhet me disa faktorë, përfshirë ndikimin e ndotjes së ajrit, e cila mund të përkeqësojë gjendjen e pacientëve dhe t’i bëjë ata më të ndjeshëm ndaj infeksioneve respiratore. Po ashtu ka qenë i vështire edhe për pacientët në moshë madhore, ku ka rënduar ndjeshëm gjendjen, duke bërë që shërimi të jetë më i ngadalshëm dhe më i ndërlikuar”, thotë ai.
Sipas statistikave, Shkupi ka numrin më të lartë të të prekurve, me 692 raste, i ndjekur nga Strumica me 333 raste dhe Manastiri me 304 raste. Në qytetet e tjera, numri i të infektuarve është më i ulët. Në total, gjatë sezonit 2024/2025, në vend janë regjistruar 11,614 raste të gripit apo sëmundjeve të ngjashme me të. Instituti për Shëndet Publik ka dhënë disa rekomandime për mbrojtjen nga gripi, duke përfshirë: shmangien e grumbullimeve dhe ambienteve të mbushura me njerëz, mbajtjen e distancës nga personat e infektuar, si dhe respektimin e masave higjienike dhe përdorimi i maskave kur është e nevojshme. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se po e monitorojnë situatën nëse ka nevojë për shpalljen e epidemisë. (koha.mk)