Vrapçishti, Zubovca dhe Gallata me sistem të modernizuar të ujësjellësit, përfundon projekti në dy faza

Kanë përfunduar faza e parë dhe e dytë e projektit të ujësjellësit për vendbanimet Vrapçisht, Zubovcë dhe Gallatë, duke modernizuar infrastrukturën e furnizimit me ujë për banorët e këtyre zonave.

Kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, njoftoi se projekti është realizuar përmes vendosjes së 9.118 metrave gypa të rinj, ndërtimit të 16 objekteve përcjellëse dhe një rezervuari të ri me kapacitet prej 500 metrash kub.

Sipas Shabanit, me përfundimin e këtyre punimeve, sistemi i ujësjellësit është modernizuar dhe tashmë është plotësisht në funksion.

„Një kërkesë e kahmotshme, një investim i rëndësishëm për qytetarët tanë!“, ka shkruar Shabani, duke theksuar rëndësinë e projektit për përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellësit.

Ai vlerësoi se realizimi i projektit përmbush një nevojë të kahmotshme të banorëve dhe krijon kushte për furnizim më të sigurt dhe më të qëndrueshëm me ujë.

„Uroj me zemër që ky investim t’ju shërbejë për shumë vite, me shëndet, mirësi e mbarësi në çdo shtëpi!“, ka përfunduar Shabani. GS

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *