Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka dënuar ashpër protestat kundër Lojërave Olimpike Dimërore, duke i cilësuar protestuesit si “armiq të Italisë”, pas përleshjeve mes demonstruesve dhe forcave të policisë në Milano dhe një akti të dyshuar sabotimi në rrjetin hekurudhor pranë Bolonjës.

Sipas mediave britanike, incidentet ndodhën në ditën e parë të garave olimpike, të cilat po mbahen në Milano, kryeqytetin financiar të vendit, dhe në qytetin alpin të Kortinës, dy qytetet pritëse të Lojërave.

Meloni vlerësoi mijëra qytetarë italianë që, sipas saj, po punojnë për garantimin e mbarëvajtjes së eventit dhe për të prezantuar imazhin pozitiv të Italisë në arenën ndërkombëtare.

“Ka nga ata që janë armiq të Italisë dhe italianëve, që demonstrojnë kundër Lojërave Olimpike dhe sigurohen që këto pamje të transmetohen në ekranet televizive anembanë botës. Ndërkohë, të tjerë kanë prerë kabllot hekurudhore për të penguar nisjen e trenave”, shkroi Meloni në një postim në Instagram.

Ajo shtoi se shpreh solidaritet të plotë me policinë, autoritetet lokale të Milanos dhe të gjithë qytetarët, puna e të cilëve, sipas saj, po cenohet nga “banda kriminale”. Kryeministrja italiane theksoi se qeveria nuk do të tolerojë akte që rrezikojnë sigurinë publike dhe imazhin e vendit gjatë një ngjarjeje me rëndësi globale.