Maturantet e Medresesë “Isa Beu” nga Gostivari realizojnë ekskursion edukativo-kulturor në Stamboll dhe Bursë

Maturantet e SHAM “Medreseja Isa Beu” – Paralelja e Vajzave në Gostivar, gjatë periudhës 1–6 nëntor 2026, realizuan një ekskursion edukativo-kulturor në Stamboll dhe Bursë të Turqisë, duke vizituar monumente të rëndësishme historike, kulturore dhe të trashëgimisë islame.

Ekskursioni u realizua nën koordinimin e koordinatorit të Paraleles së Vajzave, prof. Afrim ef. Alija, në bashkëpunim me kujdestaren e klasës, prof. Mizeqete Hebibi, dhe prof. Lindita Abazi, të cilët shoqëruan maturantet gjatë gjithë udhëtimit.

Sipas njoftimit të Medresesë, ky udhëtim kishte për qëllim ndërthurjen e njohurive të fituara gjatë procesit mësimor me përvojën e drejtpërdrejtë të historisë, kulturës, qytetërimit dhe trashëgimisë islame.

Gjatë qëndrimit në Stamboll, maturantet vizituan një sërë monumentesh dhe lokacionesh me rëndësi historike e kulturore, përfshirë Miniaturkun, lagjet historike Balat, Çukur, Kuzguncuk, Laleli, Fatih dhe Üsküdar, Cisternën e Bazilikës (Yerebatan Sarnıcı), kompleksin e Çamlıcës, Pallatin Yıldız, Pallatin Beylerbeyi dhe Pazarin e Madh (Kapalıçarşı).

Një nga përvojat më të veçanta ishte edhe udhëtimi me anije nëpër Bosfor, ku nxënëset patën mundësinë të shijojnë panoramën e Stambollit dhe veçantinë e qytetit që shtrihet në dy kontinente, Evropë dhe Azi.

Në kuadër të ekskursionit, maturantet vizituan edhe qytetin historik të Bursës, ish-kryeqytetin e Perandorisë Osmane. Atje panë Xhaminë e Madhe (Ulu Cami), tyrbet e Osmanit dhe Orhanit, pikën panoramike të qytetit, Koza Hanin dhe Pazarin e Vjetër, duke u njohur më nga afër me historinë e fillimeve të shtetit osman.

Një moment me rëndësi të veçantë shpirtërore ishte falja e namazit të xhumasë në Xhaminë Fatih në Stamboll, një prej monumenteve të rëndësishme të trashëgimisë islame dhe osmane.

Medreseja thekson se përveç njohurive historike dhe kulturore, ekskursioni kontribuoi edhe në forcimin e miqësisë, bashkëpunimit dhe komunikimit ndërmjet maturanteve.

„Ekskursionet e këtij karakteri janë pjesë e rëndësishme e edukimit të gjithanshëm të nxënëseve, sepse dija nuk fitohet vetëm në klasë, por edhe përmes njohjes së botës, historisë dhe qytetërimeve”, thuhet në njoftimin e SHAM “Medreseja Isa Beu” – Paralelja e Vajzave, Gostivar.

Në fund, institucioni ka shprehur mirënjohje për profesorët shoqërues, maturantet për sjelljen dhe përfaqësimin dinjitoz, si dhe për të gjithë kontribuuesit në realizimin e këtij udhëtimi.

„Urojmë që këto ditë të bukura të mbeten kujtime të paharrueshme dhe të shërbejnë si motivim për rrugëtimin e tyre të mëtejshëm arsimor dhe jetësor”, përfundon njoftimi. Gostivari Sot