Policia ka regjistruar disa raste në rajonin e Pollogut gjatë 2 dhe 3 nëntorit, përfshirë arrestime, drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit, sulme fizike, kërcënime dhe një zjarr në fshatin Sllatinë të Tetovës.
Më 2 nëntor, në orën 11:50, zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Çegran kanë arrestuar një 68-vjeçar nga ky fshat, me inicialet Z.S., i cili kërkohej me urdhër gjyqësor për vuajtjen e dënimit me burg për një vepër penale sipas nenit 284-a të Kodit Penal. Pas arrestimit, ai është dërguar në Burgun e Tetovës për vuajtjen e dënimit.
Po të njëjtën ditë, në orën 14:40, në fshatin Zhilcë të Tetovës, policia ka privuar nga liria një 22-vjeçar nga fshati Gërçec i Shkupit. Gjatë një kontrolli në trafik, ai është ndaluar duke drejtuar një automjet transportues „Citroen“ me targa të Shkupit, ndonëse kishte ndalesë aktive për drejtimin e automjeteve motorike. Pas dokumentimit të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
Ndërkohë, në fshatin Debresh të Gostivarit, në orën 14:15, policia ka arrestuar një 45-vjeçar me inicialet E.M., pasi gjatë këqyrjes së një aksidenti trafiku ku ai ishte përfshirë me automjetin „Ford“ me targa të Gostivarit, është konstatuar se kishte drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit. Matjet kanë treguar 1,58 promilë alkool në gjak.
Një rast tjetër është raportuar në Gostivar, ku një 33-vjeçare ka denoncuar se në barnatoren e saj, gjatë orarit të punës, një person femër kishte marrë produkte kozmetike dhe më pas e kishte sulmuar fizikisht. Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit.
Në Tetovë, një grua 40-vjeçare ka denoncuar se djali i saj i mitur, nxënës në një shkollë fillore, ishte sulmuar fizikisht nga mësuesja e tij. Denoncimi është bërë më 2 nëntor, në orën 17:20, ndërsa policia po ndërmerr masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.
Po ashtu, në orën 18:00, një 34-vjeçare nga Tetova ka denoncuar ish-partnerin e saj 30-vjeçar nga Shkupi, i cili, sipas denoncimit, e kishte përcjellë dhe kërcënuar, duke mos respektuar vendimin e Gjykatës Themelore të Tetovës për masat mbrojtëse. Pas dokumentimit të plotë, ndaj tij do të pasojë kallëzim përkatës.
Ndërkaq, në orët e hershme të mëngjesit të 3 nëntorit, në orën 04:35, është raportuar zjarr në një shtyllë elektrike në fshatin Sllatinë të Tetovës. Nga zjarri është djegur një orman shpërndarës me matës elektrikë. Zjarrfikësit e Tetovës kanë ndërhyrë dhe e kanë lokalizuar plotësisht zjarrin. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.
Policia njofton se po vazhdon me dokumentimin dhe zbardhjen e rasteve të raportuara. Gostivari Sot

