Gostivari prezanton politikat rinore në Forumin Rajonal për Lidershipin Lokal

Përfaqësues të Komunës së Gostivarit kanë prezantuar përvojat dhe iniciativat lokale për fuqizimin e të rinjve dhe përfshirjen e tyre në vendimmarrje, në kuadër të Forumit Rajonal për Lidershipin Lokal, të mbajtur në Shkup.

Forumi, me temën “Rinia, paqja dhe siguria fillojnë në shtëpi”, mblodhi përfaqësues lokalë për të diskutuar mbi rolin e të rinjve në ndërtimin e komuniteteve më gjithëpërfshirëse dhe të sigurta.

Përfaqësuesi i Gostivarit, si panelist në këtë aktivitet, prezantoi mekanizmat dhe politikat që komuna ka ndërmarrë për të krijuar më shumë mundësi për të rinjtë dhe për të nxitur pjesëmarrjen e tyre aktive në proceset vendimmarrëse.

Gjatë diskutimit u veçuan Këshilli Lokal i të Rinjve, Strategjia Lokale Rinore 2024–2028 dhe hapësirat rinore, të cilat synojnë zhvillimin e aftësive, forcimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e ideve e iniciativave të të rinjve.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edukimit për paqe, përfshirjes së të rinjve në hartimin e politikave lokale dhe bashkëpunimit ndërmjet komunave si faktorë të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve.

Si shembull konkret i bashkëpunimit ndërkomunal u përmend partneriteti ndërmjet Gostivarit dhe Gjakovës, i cili synon krijimin e mundësive të reja për të rinjtë dhe qytetarët e të dyja komunave.

Pjesëmarrja në këtë forum shërbeu si mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe prezantimin e praktikave lokale, duke vënë në pah rëndësinë e investimit te të rinjtë dhe përfshirjes së tyre në vendimmarrje për ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe paqësore. /GS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *