Dy nxënës të mitur kanë mbetur të lënduar në dy incidente të ndara në shkolla fillore në rajonin e Gostivarit, njofton Policia e Gostivarit.
Rasti i parë është raportuar më 17 nëntor 2026, në orën 12:36, kur nga Qendra Mjekësore në Gostivar është njoftuar SPB Tetovë se për trajtim është sjellë një 11-vjeçar nga Gostivari.
Sipas raportimit policor, i mituri ka marrë lëndime gjatë mbylljes së një dere në shkollën fillore ku vijon mësimin.
Ndërkaq, rasti i dytë është raportuar në të njëjtën ditë, në orën 12:54. Nga Qendra Urgjente në Gostivar është njoftuar se për trajtim është sjellë një nxënës shtatëvjeçar nga Vrapçishti.
Sipas policisë, ai është lënduar gjatë orës së edukatës fizike në shkollën fillore të fshatit. Në vendin e ngjarjes ka kryer këqyrje një ekip i SPB Tetovë.
Për të dy rastet janë dhënë informacione nga institucionet shëndetësore, ndërsa detaje të tjera për gjendjen shëndetësore të nxënësve nuk janë bërë të ditura.
Gostivari Sot

