Me rastin e 2 Prillit – Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, një delegacion i Komunës së Gostivarit, i përbërë nga Aferdita Mislimi-Hamza, Jasin Demiri, Aslian Snopce dhe Fetije Sadiku, ka vizituar qendrën “Blue Puzzle”.
Kjo qendër po konsiderohet si një histori suksesi në rajon për trajtimin dhe mbështetjen e fëmijëve me autizëm, ndërsa modeli i saj tashmë po zgjerohet edhe në qytete të tjera si Tetova dhe Likova.
Gjatë takimit me udhëheqësit e qendrës, Valon Eminin dhe përfaqësuesin e komisionit vlerësues, Samir Grble, u diskutua për sfidat aktuale dhe nevojën për zgjerim të kapaciteteve.
“Qendra aktualisht funksionon me kapacitet të plotë dhe kërkesa për shërbime është në rritje të vazhdueshme”, u theksua gjatë bisedës.
Në fokus ishte edhe ideja për zgjerimin e shërbimeve me qëndrim ditor për adoleshentët me autizëm, si një hap i domosdoshëm për të përmbushur nevojat në rritje të kësaj kategorie.
Nga Komuna e Gostivarit vlerësuan lart angazhimin e stafit të qendrës.
“Përgëzojmë këtë staf të përkushtuar për punën e tyre të palodhur në këtë mision fisnik”, thuhet në reagimin e delegacionit.
Ata shtuan se mbështetja institucionale do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Komuna e Gostivarit mbetet e përkushtuar të vazhdojë mbështetjen e parezervë për këtë qendër dhe për këtë staf të mrekullueshëm, të cilët kujdesen për një kategori shumë të ndjeshme të shoqërisë sonë”, theksohet më tej. Gazeta Flaka

