Muftinia e Bashkësisë Fetare Islame në Gostivar ka mirëpritur në një vizitë zyrtare ambasadorin e Turqisë në Maqedoninë e Veriut, Alper Aktash, i cili shoqërohej nga bashkëpunëtorët e tij. Kjo ishte vizita e parë zyrtare e diplomatit turk në këtë institucion.
Ambasadori Aktash u prit nga muftiu i Gostivarit, H. Sabahudin ef. Zendeli, në prani të koordinatorit të Paraleles së Vajzave të Medresesë „Isa Beu“, prof. Afrim ef. Alija, dhe përfaqësuesve të tjerë të Muftinisë.
Në fokus të takimit ishte jeta fetare dhe institucionale, si dhe ruajtja e trashëgimisë islame dhe kulturore në Gostivar dhe rrethinë. Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu për rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit dhe komunikimit ndërmjet institucioneve.
Takimi u shoqërua me shkëmbimin e dhuratave dhe ndarjen e mirënjohjeve, si shenjë respekti dhe vlerësimi të ndërsjellë.
Në përmbyllje të vizitës, ambasadori turk dhe nikoqirët falën namazin e drekës në Xhaminë e Sahatit në Gostivar, ku patën rastin të përshëndesin edhe besimtarët e pranishëm.
Vizita vlerësohet si një mundësi për forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit institucional në fushën fetare dhe kulturore.
Gostivari Sot

