Kronika e Pollogut: Lypje e fëmijës, sulme, kërcënime me armë dhe mashtrim prej 16 mijë eurosh

Policia ka evidentuar disa raste të ndryshme në rajonin e Pollogut gjatë 17 dhe 18 nëntorit 2026. Në raportin policor përfshihen raste të sulmeve fizike, kërcënimeve, mashtrimit, lëndimeve të të miturve, si dhe ndalime të personave të kërkuar.

Tetovë: Tetëvjeçari lypte lëmoshë në rrugë, kallëzim ndaj nënës

Më 17 nëntor, rreth orës 00:30, në rrugën “Ilinden” në Tetovë është vërejtur një fëmijë tetëvjeçar nga Kumanova, me vendbanim në Tetovë, duke kërkuar lëmoshë dhe duke rrezikuar sigurinë e tij dhe të komunikacionit.

Për rastin është njoftuar prokurori publik. Me udhëzimet e tij, me fëmijën është zhvilluar bisedë në prani të një inspektori për delikuencë të të miturve dhe një psikologu nga Qendra për Punë Sociale. Më pas, fëmijës i është dhënë ndihmë mjekësore në Spitalin Klinik të Tetovës.

Policia njofton se pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit, ndaj nënës së tij S.D. (33) do të parashtrohet kallëzim sipas nenit 201 të Kodit Penal për “lënie pas dore dhe keqtrajtim të fëmijës”.

Zhelinë: Arrestohet 38-vjeçari i kërkuar me fletarrest

Më 17 nëntor, në orën 11:30, në Zhelinë, policia ka privuar nga liria Xh.B. (38), i cili kërkohej me fletarrest lokal dhe qendror për vepër penale sipas nenit 396, paragrafi 1, të Kodit Penal.

Ai është ndaluar në Stacionin Policor në Tetovë për procedurë të mëtejshme.

Gostivar: Lëndohet 11-vjeçari gjatë mbylljes së derës në shkollë

Më 17 nëntor, në orën 12:36, nga Qendra Mjekësore në Gostivar është raportuar se për trajtim është sjellë një 11-vjeçar nga Gostivari, i cili kishte marrë lëndime gjatë mbylljes së një dere në shkollën fillore ku vijon mësimin.

Vrapçisht: Lëndohet një nxënës shtatëvjeçar gjatë edukatës fizike

Në të njëjtën ditë, në orën 12:54, nga Qendra Urgjente në Gostivar është raportuar se për trajtim është sjellë një nxënës shtatëvjeçar nga Vrapçishti. Sipas raportimit, ai është lënduar gjatë orës së edukatës fizike në shkollën fillore të fshatit.

Këqyrjen e vendit të ngjarjes e ka kryer një ekip i SPB Tetovë.

Tetovë: Ndalet një shtetase braziliane për qëndrim të parregullt

Më 17 nëntor, në orën 14:40, policia kufitare në Kodrën e Diellit ka ndaluar 37-vjeçaren V.P.S. nga Brazili, për shkak të dyshimeve për qëndrim të paregjistruar dhe keqpërdorim të qëndrimit në vend.

Ajo është ndaluar në Stacionin Policor në Tetovë për procedurë të mëtejshme.

Poroj–Xhepçisht: Punonjësi i Parkut Kombëtar “Mali Sharr” kërcënohet nga një person me pushkë

Më 17 nëntor, në orën 15:30, në SPB Tetovë, S.T. (32) nga Gjerma ka raportuar se rreth orës 11:50, gjatë kryerjes së kontrollit në zonën ndërmjet fshatrave Poroj dhe Xhepçisht, kishte vërejtur një person me pushkë, i cili i kishte drejtuar kërcënime dhe më pas ishte larguar.

Denoncuesi është i punësuar në Institucionin Publik – Parku Kombëtar “Mali Sharr”. Policia po ndërmerr masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.

Tetovë: 14-vjeçari sulmohet nga pesë të mitur

Një 48-vjeçare nga Tetova ka raportuar se më 17 nëntor, rreth orës 16:30, në rrugën “Strasho Pinxhur”, djali i saj 14-vjeçar është sulmuar fizikisht nga pesë të mitur, tre prej të cilëve i njihte.

Rasti është denoncuar në polici në orën 20:00, ndërsa po ndërmerren masa për zbardhjen e tij.

Mashtrim prej 16 mijë eurosh me një veturë BMW

Një 39-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka raportuar se është mashtruar nga N.I. nga Bogovina për shumën prej 16.000 eurosh.

Sipas denoncimit, para rreth dy muajsh ishte marrë vesh me personin që t’ia shiste një veturë të tipit “BMW” për një shumë të caktuar. Pasi kishte marrë vetëm një pjesë të parave, N.I. dyshohet se e kishte lënë automjetin peng te një person nga Shkupi.

Ky i fundit, sipas raportimit, i kishte kërkuar të lidhnin kontratë shitblerjeje te noteri dhe e kishte kërcënuar. Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit.

Merovë: Arrestohet 26-vjeçari pas sulmit ndaj një të mituri

Më 18 nëntor, në orën 00:10, një 38-vjeçar nga Merova ka raportuar se një natë më parë, rreth orës 21:30, para një objekti tregtar në fshat, djali i tij i mitur ishte sulmuar fizikisht nga A.V. (26), po ashtu nga Merova.

I dyshuari është paraqitur vetë në Stacionin Policor në Tetovë në orën 01:00, ku është ndaluar për procedurë të mëtejshme. Policia njofton se do të vijojë parashtresa përkatëse.

Nerasht: 43-vjeçari arrestohet pas denoncimit për sulm me mjet metalik

Më 18 nëntor, në orën 01:50, në Nerasht, policia ka privuar nga liria A.A. (43), pas denoncimit të H.R. (20), nga i njëjti fshat.

Sipas denoncimit, më 17 nëntor, rreth orës 22:15, në oborrin e tij, 20-vjeçari ishte sulmuar nga 43-vjeçari me një send metalik.

I dyshuari është ndaluar në stacionin policor për procedurë të mëtejshme dhe zbardhjen e plotë të rastit.

Gostivar: Kërcënohet me armë zjarri në një këmbimore

Më 18 nëntor, në orën 14:20, një 45-vjeçar nga Zdrunja ka raportuar në DPB Gostivar se një ditë më parë, rreth orës 15:20, në një këmbimore në Gostivar, pronë e A.F., pas mosmarrëveshjeve të mëparshme, pronari kishte tentuar ta sulmonte fizikisht dhe e kishte kërcënuar me armë zjarri.

Sipas denoncimit, kërcënimet kishin vazhduar edhe më vonë, kur A.F. kishte shkuar në zyrën e tij.

Policia njofton se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.

Burimi: Policia e Gostivarit dhe SPB Tetovë.