Një i mitur është sulmuar fizikisht në oborrin e një shkolle fillore në fshatin Banjicë e Poshtme, në rajonin e Gostivarit.
Rastin në polici e ka denoncuar më 11 nëntor, rreth orës 19:00, babai i të miturit, I.B. (33), banor i këtij fshati.
Sipas denoncimit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30, kur djali i tij është sulmuar fizikisht nga një person, i cili ishte së bashku me disa persona të tjerë.
Rasti bëhet edhe më shqetësues për shkak se sulmi është filmuar me telefon celular, ndërsa pamjet më pas janë publikuar në një rrjet social.
Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë. GS

