Gostivari vlerësohet si qyteti më miqësor për të rinjtë në rajonin e Pollogut

Komuna e Gostivarit ka marrë vlerësimin “Qytet Mik i të Rinjve 2026” (Youth Friendly Town) për rajonin e Pollogut, duke u dalluar për politikat rinore dhe përfshirjen e të rinjve në proceset vendimmarrëse dhe zhvillimin lokal.

Çmimi iu dorëzua kryetarit të komunës, Valbon Limani, i cili e konsideroi këtë mirënjohje si dëshmi të punës së bërë për krijimin e kushteve dhe mundësive më të mira për gjeneratat e reja.

Sipas Limanit, vlerësimi vjen pas një hulumtimi të strukturuar në nivel nacional, përmes të cilit është shqyrtuar zbatimi i Ligjit për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat Rinore.

Kryetari i Gostivarit theksoi se ky çmim nuk përfaqëson vetëm një mirënjohje për komunën, por edhe një përgjegjësi për të zgjeruar mekanizmat përmes të cilëve të rinjtë mund të marrin pjesë në vendimmarrje dhe të ndikojnë në zhvillimin e qytetit.

Në këtë proces kanë kontribuar Koalicioni SEGA dhe Qendra Rinore e Ohrit, ndërsa mbështetje kanë dhënë edhe Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, UNDP, UNFPA, RYCO dhe OSBE.

Me këtë vlerësim, Gostivari renditet në mesin e komunave që dallohen për qasjen ndaj politikave rinore në nivel lokal. Gostivari Sot