Vrapçishti investon në zhvillimin profesional të kuadrove arsimore

Komuna e Vrapçishtit ka nisur një proces të avancimit profesional të kuadrove arsimore, përmes pjesëmarrjes në Akademinë për Avancim Profesional në Arsim (AAPA), në bashkëpunim me FOSTER Academy.

Deri më tani janë realizuar pesë module trajnuese, ku janë përfshirë përfaqësues të Sektorit për Arsim të komunës, Alime Bajrami dhe Saim Musa, si dhe pedagogë, psikologë dhe bashkëpunëtorë të tjerë profesionalë nga institucionet arsimore të kësaj komune.

Programi përqendrohet në sfidat aktuale të sistemit arsimor, etikën dhe përgjegjësinë profesionale, detyrimet ligjore, si dhe përmirësimin e praktikave të punës në shkolla dhe institucione arsimore.

Trajnimet nuk përfundojnë me pesë modulet e deritanishme, pasi akademia parashikon vazhdimin e aktiviteteve edhe në periudhën e ardhshme, me synimin e zgjerimit të njohurive dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet profesionistëve të arsimit.

Nga Komuna e Vrapçishtit vlerësojnë se zhvillimi i vazhdueshëm i stafit arsimor është një nga parakushtet për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe përballimin e sfidave të reja në këtë sektor. Gazeta Flaka