Kronika e zezë në Pollog: Arrestime, mashtrim me 6.800 euro dhe disa raste të dhunës

Policia ka regjistruar disa raste të ndryshme në rajonin e Pollogut gjatë datës 10 nëntor 2026, përfshirë arrestime për prishje të rendit publik, posedim të një substance të dyshuar, kanosje dhe sulm ndaj një zyrtari, si dhe një rast mashtrimi me vlerë prej 6.800 eurosh.

Arrestohet 39-vjeçari nga Banjica e Poshtme në Tetovë

Më 10 nëntor, në orën 11:40, në rrugën “Vëllezërit Milladinovi” në Tetovë, policia ka privuar nga liria G.K. (39) nga fshati Banjicë e Poshtme e Gostivarit.

Sipas njoftimit policor, ai dyshohet se ka prishur rendin dhe qetësinë publike përmes sjelljes agresive dhe të pahijshme. Pas dokumentimit të rastit, ndaj tij do të pasojë parashtresa përkatëse.

Mashtrim me 6.800 euro përmes një faqeje gjermane për shitjen e automjeteve

Një 26-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka denoncuar se është mashtruar nga një person 46-vjeçar nga Gjermania, në vlerë prej 6.800 eurosh.

Sipas denoncimit të bërë më 10 nëntor në orën 12:00 në SPB Tetovë, i riu kishte kontaktuar me J.L. (46) përmes një faqeje gjermane për shitjen e automjeteve. Pas marrëveshjes, më 29 tetor 2026, ai kishte transferuar shumën përmes llogarisë bankare.

Dyshimet për mashtrim janë shtuar pasi shërbimi i angazhuar për transportimin e automjetit kishte shkuar në adresën e dhënë në Gjermani, ku kishte konstatuar se personi nuk jetonte aty dhe se adresa ishte e rreme.

Policia njofton se po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.

Arrestohet 30-vjeçari në Gostivar, kanosi punonjësen e Prokurorisë dhe sulmoi policin gjyqësor

Në orën 13:15, në rrugën “JNA” në Gostivar, policia ka arrestuar J.I. (30) nga Gostivari.

Sipas denoncimit të një punonjëseje të Prokurorisë Themelore Publike në Gostivar, rreth orës 12:55, në vendin e saj të punës, personi ishte sjellë në mënyrë agresive dhe e kishte kanosur. Më pas, ai kishte sulmuar edhe një polic gjyqësor, i cili po kryente veprime zyrtare.

I dyshuari është mbajtur në stacionin policor, ndërsa pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të ngrihet kallëzimi përkatës.

Përleshje fizike në Tetovë, përfshihet një 17-vjeçar

Një 43-vjeçar nga Tetova ka denoncuar në SPB Tetovë se në rrugën “Ilinden” kishte ndodhur një përleshje fizike mes djalit të tij 17-vjeçar dhe personit A.M.

Denoncimi është bërë më 10 nëntor, në orën 18:40. Policia njofton se pas dokumentimit të plotë të rastit do të pasojë parashtresa përkatëse.

Tre persona arrestohen në Çegran, sekuestrohet një substancë pluhur e bardhë

Në orën 23:40, në fshatin Çegran, policia ka arrestuar S.I. (52), A.M. (36) dhe Sh.O. (39), të gjithë nga Gostivari.

Gjatë kontrollit të një automjeti të tipit “Peugeot”, me targa të Gostivarit, të drejtuar nga S.I., në të cilin ndodheshin edhe dy personat e tjerë, është gjetur dhe konfiskuar një substancë pluhur me ngjyrë të bardhë.

Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të pasojë parashtresa përkatëse.

Arrestohet 23-vjeçari në Tetovë, i gjendet substancë pluhur e bardhë

Një tjetër arrestim është realizuar në Tetovë, në orën 22:45, në rrugën “Ilinden”.

Policia ka privuar nga liria E.L. (23) nga Tetova, pasi gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij është gjetur dhe konfiskuar një substancë pluhur me ngjyrë të bardhë.

Ai është mbajtur në stacionin policor, ndërsa pas dokumentimit të rastit do të dorëzohet parashtresa përkatëse.

Rastet janë pjesë e buletinit policor të SPB Tetovë për ngjarjet e regjistruara më 10 nëntor 2026 në rajonin e Pollogut. Gostivari Sot