Një hetim i pavarur ka identifikuar 20.730 profile që shpërndanin ose ofronin qasje në materiale të abuzimit seksual me fëmijë. Ministria spanjolle e Rinisë dhe Fëmijërisë paralajmëron masa të ashpra, përfshirë ndalimin e përkohshëm të TikTok-ut.
Një skandal i rëndë ka përfshirë platformën TikTok, pasi një hetim i pavarur në Spanjë ka zbuluar mbi 20 mijë profile të lidhura me pedofilinë dhe shpërndarjen e materialeve të abuzimit seksual me të mitur.
Sipas raportit të organizatës hulumtuese „Maldita.es“, janë identifikuar gjithsej 20.730 profile në TikTok që shpërndanin hapur ose ofronin qasje në materiale të paligjshme të shfrytëzimit seksual të fëmijëve.
Hetimi ka ngritur shqetësime serioze për dështimet e mekanizmave të moderimit të platformës, pasi një pjesë e madhe e llogarive të raportuara kanë vazhduar të jenë aktive edhe për muaj të tërë, pavarësisht denoncimeve fillestare.
Sipas gjetjeve, profilet përdornin emoji të veçanta, hashtagë të koduar dhe ridrejtime drejt aplikacioneve të komunikimit, përfshirë Telegramin, për të lehtësuar shpërndarjen e materialeve të ndaluara. Hetuesit pretendojnë se sistemet automatike të TikTok-ut nuk arritën t’i identifikonin dhe bllokonin në mënyrë efektive këto skema.
Spanja paralajmëron masa deri në bllokimin e TikTok-ut
Ministrja spanjolle e Rinisë dhe Fëmijërisë, Sira Rego, ka kërkuar nga Avokatura e Shtetit nisjen e procedurave penale ndaj drejtuesve të platformës.
Rego paralajmëroi se qeveria do të shfrytëzojë të gjitha mekanizmat ligjorë në dispozicion, përfshirë mundësinë e urdhërimit të operatorëve të telekomunikacionit për bllokimin e qasjes në platformë, nëse TikTok-u nuk ofron garanci të mjaftueshme për sigurinë e fëmijëve.
Ndërkohë, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka paralajmëruar një ligj më të rreptë për mbrojtjen e të miturve në hapësirën digjitale. Propozimet përfshijnë verifikimin e detyrueshëm të moshës dhe përgjegjësi penale për kompanitë teknologjike që përfitojnë nga algoritmet që nxisin varësinë dhe ekspozimin ndaj përmbajtjeve të dëmshme.
Edhe Bashkimi Evropian nën hetim ndaj TikTok-ut
Rasti në Spanjë vjen në një kohë kur Komisioni Evropian tashmë ka nisur procedura formale ndaj TikTok-ut në kuadër të Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA).
Legjislacioni evropian parasheh gjoba deri në 6 për qind të qarkullimit vjetor global për platformat që nuk arrijnë të vlerësojnë dhe të zvogëlojnë rreziqet sistemike për shëndetin mendor dhe fizik të fëmijëve.
Zbulimet në Spanjë rikthejnë në qendër të debatit përgjegjësinë e gjigantëve teknologjikë për përmbajtjet që qarkullojnë në platformat e tyre dhe efektivitetin e mekanizmave që duhet të mbrojnë përdoruesit më të rinj.

