Komunalec: Analizat laboratorike konfirmojnë se uji i Gostivarit është i sigurt për pije

Ndërmarrja Publike „Komunalec” – Gostivar njofton se rezultatet e analizave laboratorike të pranuara më 9 nëntor 2026 konfirmojnë se uji nga rrjeti publik i ujësjellësit është i sigurt për pije dhe i plotëson standardet e përcaktuara ligjore.

Sipas raporteve zyrtare të Qendrës për Shëndet Publik – Tetovë, Njësia Rajonale Gostivar, mostrat e analizuara dëshmojnë se uji përmbush kriteret fiziko-kimike dhe mikrobiologjike për konsum të sigurt.

Mostrat janë marrë në katër pika të rrjetit shpërndarës: Kaptazhi Burim, Kisha në Qendër, lagjja Mllaki pranë shittores Vito dhe lagjja Pitarnicë pranë Ultra Marketit.

„Për të gjitha mostrat e sipërpërmendura, referuar parametrave të karakteristikave higjieno-teknike, konstatohet përputhshmëri absolute me kriteret e përcaktuara për konsum të sigurt”, thuhet në njoftimin e Komunalecit.

Nga ndërmarrja bëjnë të ditur se monitorimi i cilësisë së ujit do të vazhdojë rregullisht, përmes marrjes së mostrave ditore dhe analizave laboratorike.

„NP Komunalec – Gostivar ju siguron se monitorimi dhe kontrolli i cilësisë së ujit do të vazhdojë rregullisht, përmes marrjes së mostrave ditore dhe analizave rigoroze, për të garantuar një furnizim të sigurt për të gjithë qytetarët”, theksohet në njoftim.

Në interes të transparencës dhe informimit të publikut, Komunaleci ka publikuar edhe rezultatet e analizave laboratorike, të cilat qytetarët mund t’i shqyrtojnë në faqen zyrtare të ndërmarrjes.

Rezultatet e analizave laboratorike – Komunalec Gostivar Gostivari Sot