Sjellje agresive ndaj një punonjëseje të Prokurorisë në Gostivar, denoncohet rasti në polici

Një person nga Gostivari dyshohet se ka fyer një punonjëse të Prokurorisë Themelore Publike dhe institucionet shtetërore gjatë dorëzimit të dokumenteve në vendin e saj të punës.

Policia e Gostivarit ka njoftuar se më 9 nëntor 2026, në ora 15:20, në Departamentin e Punëve të Brendshme (DPB) Gostivar, është denoncuar një rast i sjelljes agresive dhe fyerjeve ndaj një punonjëseje të Prokurorisë Themelore Publike në Gostivar.

Sipas njoftimit të Policisë së Gostivarit, punonjësja ka raportuar se personi Z.B. nga Gostivari, në dy raste të ndara, përkatësisht në ora 09:00 dhe 14:00, kishte shkuar në vendin e saj të punës.

Gjatë dorëzimit të dokumenteve, ai dyshohet se ishte sjellë në mënyrë agresive ndaj saj dhe kishte drejtuar fyerje si ndaj punonjëses, ashtu edhe ndaj institucioneve shtetërore.

“Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Gostivarit. Gostivari Sot