17-vjeçari humb kontrollin e trotinetit elektrik në aksin Gradec–Pirok, pëson lëndime të rënda

Një aksident me pasoja të rënda për një të mitur është regjistruar në rrugën rajonale Gradec–Pirok, ku një 17-vjeçar është rrëzuar derisa po drejtonte një trotinet elektrik.

Sipas njoftimit policor, rasti është denoncuar më 29 tetor 2026, rreth orës 16:00, në DPB Gostivar. I mituri nga fshati Gradec, për arsye që ende nuk janë bërë të ditura, ka humbur kontrollin mbi trotinetin dhe është rrëzuar në rrugë.

Nga aksidenti, drejtuesi 17-vjeçar ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa bashkudhëtari i tij, 15-vjeçar, gjithashtu nga Gradeci, ka marrë lëndime trupore.

Të dy të miturit janë dërguar në Qendrën Urgjente në Gostivar, ku u janë konstatuar lëndimet.

Ekipi i këqyrjes së DPB Gostivar ka kryer ekspertizën në vendin e ngjarjes, ndërsa po dokumentohen rrethanat në të cilat ka ndodhur aksidenti. Gostivari Sot