Inspektorati i Punës do të paraqesë kallëzim penal në Prokurorinë Publike lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur dy javë më parë në Ohër, ku humbi jetën fotografi 28-vjeçar Kristijan Lushev, gjatë punimeve në një objekt banimi në ndërtim e sipër.
Sipas informacioneve zyrtare, në momentin e aksidentit Lushev, së bashku me një person tjetër, po bartte materiale ndërtimore, kur u pengua në një kovë, humbi ekuilibrin dhe ra në hapësirën e destinuar për ashensor në bodrumin e objektit.
Nga Inspektorati i Punës bëjnë të ditur se gjatë kontrolleve është konstatuar se dy subjekte juridike nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme në përputhje me rregulloret për sigurinë dhe shëndetin në punë.
“U konstatua se dy subjekte juridike nuk kishin ndërmarrë masa në përputhje me rregulloret në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë. Për këtë arsye do të paraqiten kallëzime penale në Prokurorinë Themelore Publike kompetente për veprime të mëtejshme”, njoftojnë nga Inspektorati i Punës.
Rasti ndodhet në fazë hetimi në Prokurorinë Publike. Është kryer autopsia e viktimës dhe janë dhënë urdhra për mbledhjen e provave materiale në vendin e ngjarjes.
“Inspektorati i Punës duhet të dorëzojë raportin për gjendjen e konstatuar. Ndërkohë, po ndërmerren edhe veprime të tjera hetimore, përfshirë marrjen e deklaratave nga persona që kanë njohuri për rastin”, bëjnë të ditur nga Prokuroria Themelore Publike.
Babai i viktimës, Valentin Lushev, kërkon përgjegjësi institucionale dhe zbardhje të plotë të rastit, me qëllim që tragjedi të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.
“Pres drejtësi për fëmijën tim, edhe pse askush nuk mund ta kthejë. Dy ose tri ditë para aksidentit e vizitova dhe hyra lirshëm në ndërtesë deri në katin e dytë. Ajo që vura re menjëherë ishin hapësirat e pambrojtura, vrimat e ashensorëve pa asnjë masë sigurie. U frikësova dhe i thashë djalit tim të bënte kujdes, sepse gjithçka mund të ndodhte”, deklaroi ai.
Familja e të ndjerit kërkon kontroll më rigoroz nga shërbimet inspektuese dhe zbatim të plotë të ligjeve për sigurinë në punë.

